Home>Lajme>Konkurrenca dhe Teknologjia Digjitale në Ekonominë 3.0

Konkurrenca dhe Teknologjia Digjitale në Ekonominë 3.0

Teknologjia digjitale ka ndryshuar rrënjësisht mjedisin konkurrues që na rrethon. Të gjitha të dhënat e gjeneruara nga studime të fundit tregojnë se drejtuesi kryesor në transformimin digjital në të vërtetë është frika. Zakonisht konsiderohet si një emocion negativ, por në mjedisin e ditëve të sotme që ndryshon jashtëzakonisht shumë shpejt, ky përshkrim mund të mos qëndrojë. Me futjen e bizneseve të reja në tregun e punës dhe me mënyrën e tyre të re të operimit, ato po ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si të mirat dhe shërbimet po dërgohen apo mënyrën se si ndërveprohet me konsumatorët. Kështu, kompanitë që janë të stabilizuara ndjejnë nevojën për të ristrukturuar strategjitë e tyre të operimit në mënyrë që të qëndrojnë në lojë. Studimet tregojnë se mbi 2/3 e kompanive në të gjithë botën ndjejnë presionin e konkurrencës si një ndër arsyet kryesore dhe ato zgjedhin të implementojnë optimizimin e infrastrukturës IT për biznesin e tyre.

Teknologjia, jo vetëm që ka mundësuar kompanitë që të shtrihen në tregje të reja, por ajo ka krijuar në të njejtën kohë mjedise të reja mjaft konkurruese. Kjo rezultoi në faktin se shumë kompani që besonin se dështimi për të përfunduar projektet e transformimit digjital do të rezultonte në përfitimin e konkurrentëve. Ky kërcënim teknologjik mund të konsiderohet edhe si një shans sepse revolucioni digjital krijon mundësi për kompanitë që janë të gatshme të riorganizohen në mënyrën se si e zhvillojnë biznesin e tyre.

Shpesh kompani në të gjithë globin i japin të drejtë faktit se duke përdorur në mënyrën e duhur teknologjitë e transformimit digjital për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e eksperiencës konsumatore, do t’i ndihmojë në luftën kundër kërcënimeve dhe frikës së rritjes së konkurrencës. Kompanitë besojnë se eksperienca konsumatore është e rëndësishme për strategjinë e rritjes së biznesit dhe citon kërkesat e tij si një nxitës kryesor në përdorimin e teknologjisë duke përshtatur infrastrukturën e tyre.

Transformimi digjital do të sjellë efektivitet operacional, por strategjitë e bizneseve duhet të jenë unike dhe të stabilizuara në mënyrë që ato të mbijetojnë në epokën e evolucionit të modeleve të reja të biznesit. Me kohën, të gjithë do t’i përshtaten teknologjisë, por avantazhi për t’u rritur në kurbën e tregut duke përdorur teknologjinë në përmirësimin e eksperiencës konsumatore vendos qëllime të qarta në një nivel të detajuar të procesit të ecurisë së biznesit.

Është tepër e thjeshtë për të spikatur teknologjitë inovative, por që t’i përshtasësh ato në model ekzistues të biznesit është komplet gjë tjetër. Në disa raste kërkohet heqja dorë komplet nga një model biznesi dhe të vendoset për të krijuar një model të ri të bërjes biznes. Duke patur avantazh të plotë ndaj teknologjive të reja dhe për të qenë kunkurrues në treg, më tepër rëndësi kanë njerëzit dhe mënyra e funksionimit të biznesit se sa kompleksiteti i aplikimit të teknologjisë. Organizatat duhet patjetër të ndryshojnë mënyrën si funksionojnë nëse ato duan të mbijetojnë në të ardhmen. Duke përdorur të njejtën mënyrë operimi, por me software të rinj mund të jetë një zgjidhje tepër afatshkurtër dhe në rastin më të mirë biznesi mund të mbetet në fazë stanjacioni.

Për sa i përket efektivitetit operacional, konsiderohet të jetë më tepër se thjesht reduktim kostosh. Ai ka të bëjë me zhvillimin inovator të mënyrës së menaxhimit të proceseve në të gjithë fushat e operimit të biznesit. Ky fakt mund të jetë sfidues për kompanitë që janë mjaftueshëm mirë të stabilizuara në linjën tradicionale të operimit të biznesit. Parimet e tyre bazë të drejtimit duhet të rimendohen dhe rikonceptohen, ndryshe ato rrezikojnë që të dalin nga tregu dhe t’ua lenë vendin bizneseve të tjera shumë më tepër konkurruese dhe inovatore.
Nëpërmjet mënyrave moderne të mbledhjes së të dhënave, bizneset mund ta kuptojnë më mirë se si klientët e tyre janë duke e përdorur produktin. Një njohuri e tillë mund të rritë nivelin e përfshirjes së klientëve, prania e të cilëve mund të nënkuptojë ekzistencën në afatgjatë të biznesit. Më shumë të dhëna do të thotë edhe informacion më i mirë lidhur me produktet apo shërbimet në përdorim. Kjo do të thotë planifikim dhe parashikim më i mirë nga kompania lidhur me përdorimin e hapësirave të biznesit për të zhvilluar dhe përmirësuar veten. Ky bashkëpunim reciprok ka mundësuar zbulimin e produkteve dhe shërbimeve të përmirësuara, të cilat nuk do të ishin prodhuar në një botë jo të digjitalizuar.

Shitësit që janë të lidhur drejtpërdrejt me konsumatorët janë duke e përdorur gjithmonë dhe më shumë teknologjinë digjitale për të transformuar tregjet e tyre. Ajo ju mundëson shitësve automatizimin e proceseve për shumë shërbime duke sjellë përfitime në dy aspekte, eksperiencë më e mirë konsumatore me opsione vetëshërbimi dhe kosto më të ulta. Gjithashtu vlen të përmendet edhe personalizimi i shërbimeve dhe përgjigjja në kohë reale e nevojave të konsumatorëve. Por sigurisht këto aspekte nuk janë të vetmet që do të çojnë në digjitalizimin total të bizneseve, pasi shumë ndryshime të mëtejshme kërkohen për të përfituar totalisht nga ky transformim.

Shumë biznese mendojnë se janë duke ndryshuar, por në të vërtetë ato thjesht janë duke investuar në teknologji. Ky nuk është në të vërtetë transformim digjital. Transformimi nuk lidhet vetëm me mënyrën se si kompanitë ndërveprojnë me konsumatorët, por edhe se si ato reagojnë ndaj sfidave të transformimit digjital nëpërmjet riorganizimit të brendshëm. Vetëm kur marketingu, eksperienca konsumatore, organizimi i brendshëm dhe teknologjia të kenë kooperim, përfitime të mëdha nga transformimi digjital mund të fillojnë të arrihen. Si rezultat, në një treg që është duke ecur me ritme të shpejta, parashikimi i nevojave në ndryshim dhe implementimi i teknologjive të reja digjitale do t’i vendosë bizneset në një pozicion nga i cili do të përfitojnë aftësitë diferencuese kundrejt konkurrencës së tregut.

2018-11-20T10:20:03+00:00