Rekomandime mbi detyrat e projektimit të sistemeve të sigurisë fizikë të objekteve.
Qëllimi i sistemeve të sigurisë është mbrojtja e aseteve, klientëve, vizitorëve dhe stafit që ndodhen në brendësi të objekteve që mbrohen. Me termin “mbrojtje”, nuk pretendohet garantimi i paprekshmërisë së objektit të mbrojtur nga elementët keqbërës. Mbrojtje do të thotë: parandalim, pengim, zbulim, vonesë dhe aktivizim i veprimeve për ndalim të elementit keqbërës nëse ai hyn në zonën e mbrojtur. Që sistemi i sigurisë të realizojë më së miri funksionet e tij mbrojtëse, më parë duhet të përcaktohen dhe qartësohen zonat e mbrojtura, dhe më tej të përzgjidhet sistemi, në varësi të nivelit të sigurisë që kërkojnë këto zona.
Bazuar në praktikat më të mira në fushën e sigurisë fizike, nivelet e mbrojtjes mund të ishin si më poshtë:
- Niveli i parë i mbrojtjes – Zona jashtë perimetrit të territorit të objektit të mbrojtur.
Në këtë zonë në përgjithësi ka lëvizje të vazhdueshme të njerëzve dhe automjeteve, prandaj zakonisht, aty instalohen pajisje që bëjnë monitorim të përgjithshëm për zbulimin e hershëm të synimeve për ndërhyrje keqbërëse.
Pajisjet më të përshtatshme për këtë zonë janë kamerat e sigurisë të pajisura me aplikacione inteligjente (video analytics) për të analizuar imazhet dhe për të parashikuar veprimet keqbërëse. Software me “inteligjencë artificiale” dhe me aftësi për të mësuar (“deep machine learning”) rezultojnë efektive në parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Në rastin e objekteve të rëndësisë kritike, që ndodhen në zona të izoluara, ku në përgjithësi nuk ka lëvizje të njerëzve apo automjeteve, pajisjet më të përshtatshme për mbikqyrje do të ishin radarët kompakt të cilët zbulojnë dhe gjurmojnë lëvizje në zona shumë të gjera, në çfardolloj kushte ambientale (borë, shi, mjegull, në tokë dhe det). Shembuj objektesh të kësaj natyre janë: hidrocentrale, stacione elektrike të fuqisë së lartë, parqe energjitike apo industriale, burgje, ushtarake etj.
- Niveli i dytë i mbrojtjes – Zona e perimetrit të territorit të objektit të mbrojtur.
Kjo zonë konsiston në vetë perimetrin e territorit. Niveli i sigurisë për këtë zonë përgjigjet për zbulimin dhe pengimin e elementëve të pa autorizuar që kalojnë vijën e perimetrit apo portat hyrëse të tij.
Pajisjet më të përshtatshme për këtë nivel sigurie do të ishin kamerat termike me software analitik on board dhe barrierat mekanike të komanduara nga pajisjet e kontrollit të aksesit të instaluara në portat hyrëse të rrethimit perimetral.
- Niveli i tretë i mbrojtjes – Zona brenda perimetrit të territorit të objektit të mbrojtur.
Kjo zonë përbëhet nga territori brenda perimetrit të jashtëm, si p.sh: kopësht, oborr, parkim, apo shesh ku pozicionohen pajisje ose mallra. Ky nivel sigurie përgjigjet për gjurmimin e mëtejshëm të një elementi keqbërës që i ka kaluar nivelit të dytë të sigurisë.
Pajisjet më të përshtatshme për këtë rast do te ishin kamerat PTZ ose kombinimi i radarëve kompakt me kamera PTZ. Kamerat PTZ kërkojnë komandim nga operatori i sigurisë ndërsa kombinimi i radarëve me kamera PTZ mundëson gjurmimin automatik të elementit keqbërës dhe identifikimin e tyre.
- Niveli i katërt i mbrojtjes – Zona e perimetrit të godinës së objektit të mbrojtur.
Ky nivel sigurie përgjigjet për mbrojtjen e hyrjes në godinë nëpërmjet dyerve dhe dritareve të saj.
Pajisjet më të përshtatshme për këtë nivel sigurie do të ishin: Akses kontroll në hyrjet e godinës, metal detektor, sisteme alarmi që detektojnë lëvizjet, kamera sigurie. Këto pajisje mund të programohen në mënyrë që të aktivizojnë alarme në periudha të përcaktuara kohore sipas nevojës.
- Niveli i pestë i mbrojtjes – Organizimi i aksesit të kontrolluar brenda godinës.
Ky nivel mbrojte është përgjegjës për garantimin e aksesit brenda godinës në përputhje me të drejtat e aksesit të stafit, klientëve dhe vizitorëve. Zonat me akses të kufizuar ndahen me barriera fizike që komandohen nëpërmjet sistemit të kontrollit të aksesit.
Pajisjet më të përshtatshme për këtë nivel sigurie do të ishin: portat e blinduara, pajisjet e kontrollit të aksesit, bllokues elektromagnetik të portave.
- Niveli i gjashtë i mbrojtjes – Zona e sigurisë së lartë ku lejohet vetëm staf i autorizuar që respekton protokolle të miratuara për aksesimin e saj.
Shembuj të kësaj zone mund të ishin: dhoma e pajisjeve IT dhe serverave, ambienti i ruajtjes së mjeteve monetare, arkivat, zyra e protokollit, ambientet e ruajtjes së provave gjyqësore etj.
Pajisjet më të përshtatshme për këto zona do të ishin: Portat e blinduara të komanduara nga kontrolli i aksesit në përputhje me protokollet e miratuara si p.sh: rregulli i dy personave, që lejon hapjen e portës vetëm në rastin kur janë prezentë dy persona të autorizuar. Kamerat e sigurisë do të regjistronin çdo veprim të këtyre personave në ambientet e sigurisë së lartë.
Nivelet e mësipërme të sigurisë mund të ndryshojnë nga projekti në projekt, në varësi të tipologjisë dhe rëndësisë së objektit që duhet të mbrohet.
Në shumicën e projekteve të sigurisë të implementuara vërehet se subjektet kufizohen në instalimin e sistemeve të sigurisë që përbëhen nga kamerat e sigurisë dhe pajisjet e ruajtjes së imazheve. Ndërsa këto sisteme mund të ndihmonin në zbardhjen e ngjarjeve kriminale, ato nuk janë efektive në parandalimin apo pengimin e elementëve keqbërës në realizimin e qëllimit të tyre.
Një sistem i mirë sigurie duhet të jetë në gjendje të parandalojë, të pengojë aktivitetet kriminale dhe të njoftojë në kohë reale skuadrat e sigurisë fizike për ndërhyrje.
Për më tepër lidhur me portofolin e produkteve nga Axis Communication mund të shikoni Tek Reja.